e enjte, 24 janar 2008

Dashnorja shqiptare e Orhan Pamukut PDF Printoni E-mail
Shkruar nga Enver Robelli
e premte , 01 qershor 2007 - nga gazeta Koha Ditore
ImageNë librin e tij „Stambolli – Kujtime për një qytet“ nobelisti turk Orhan Pamuk i ngre një përmendore ish-Kostandinopojës – dhe dashnores së tij të parë, një vajze me origjinë shqiptare, emri i së cilës në persisht do të thotë „Trëndafil i zi“. Edhe një shqiptar tjetër përmendet në libër: Sami Frashëri (ose Şemsettin Sami, siç njihet ai në literaturën turke)

„Nuk do të bëhem piktor. Do të bëhem shkrimtar”. Me këto fjalë Orhan Pamuk e përfundon librin e tij të fundit të botuar në gjermanisht me titull „Stambolli – Kujtime për një qytet”.

Thelbi i librit shtrihet në periudhën pas shkatërrimit të Perandorisë Osmane, kur Stambolli, Kostandinopoja e dikurshme, vuan nga “hüzüni” – një shprehje turke për melankoli kolektive dhe individuale, dhimbje shpirtërore, botëkuptim dhe mërzi. Me një ton të rrjedhshëm Pamuk përshkruan fëmijërinë e tij në një familje të pasur (babai dhe xhaxhai i tij ishin pronarë fabrikash të tekstilit), përleshjet dhe lojërat me vëllanë e tij më të madh, flet pa dorëza mbi grindjet mes prindërve (për shkak të aferave të shumta të të atit me femra në Stamboll e Paris).

Anija kroate

Mbi të gjitha Pamuk skicon një panoramë opulente të Stambollit, qytetit të tij të lindjes, në të cilin – me disa ndërprerje të shkurtra - ka jetuar pjesën më të madhe të jetës që nga lindja në vitin 1952. Lexuesit i shpaloset një qytet, i cili luhatet mes stilit perëndimor të jetës (të imponuar nga themeluesi i Republikës, Mustafa Kemal Ataturk) dhe të së kaluarës së lavdishme osmane. Pa agresivitet, por me kritikë të mprehtë Pamuk vëzhgon shpërfytyrimin e Stambollit me arkitekturë qesharake (kinse perëndimore) dhe shkatërrimin e djegien e yalisave, vilave të bukura pranë Bosforit. (Një gjendje që të kujton Prizrenin apo Prishtinën e pasluftës, kur shqiptarët trima zaptonin, mbindërtonin dhe digjnin gjithçka që ishte e vjetër, shqiptare, serbe, osmane).
Qyteti si fat e fatkeqësi, si identifikim dhe ndjenjë jete – kjo është qasja e nobelistit Orhan Pamuk ndaj Stambollit. Zjarri është po aq pjesë e përditshmërisë së qytetit sa edhe uji i zi i detit, ku reflektohet melankolia e Stambollit. Zjarri që e bën shkrumb e hi anijen kroate “Petar Zoraniq”, e cila me një ngarkesë prej 10 tonelatash kerozinë ishte duke lundruar nga porti sovjetik Tuapse drejt Jugosllavisë së atëhershme dhe në Bosfor kishte humbur kursin për t’u përplasur natën e 14 dhjetorit 1960 me anijen greke “World Harmony”. Në sytë e Orhan Pamukut, atëbotë vetëm 8-vjeçar, Stambolli dridhet nga një shpërthim dhe mbështillet nga retë e zeza të kerozinës së djegur. Para çdo rrugëtimi zbulues nëpër rrugët e qytetit Pamuk shpalos në shtëpi, në Pamuk Apartmani, hartën e gjeografit të njohur kroat Jacques Pervitich dhe përzgjedh rrugë pas rruge dhe shtëpi pas shtëpie vendet, ku kanë kaluar kohën katër shkrimtarë turq, të cilët kanë përshkruar dhe simbolizuar melankolinë e Stambollit: Jahja Kemal, Reshat Ekrem Koçu, Abdylhak Shinasi Hisar dhe Ahmet Hamdi Tanpinar.

Vajza shqiptare

Vepra „Stambolli – Kujtime për një qytet“ është një minierë e thellë, një enciklopedi për qytetin. Është e pamundshme që në kuadër të një recensioni për gazetë të përfshihet së paku një e dhjeta e hollësive fantastike që sjell autori mbi Stambollin dhe mbi veten e tij. Për lexuesin e trevës sonë me interes të dorës së parë janë ato pjesë, ku Pamuk flet për shqiptarët. Ose më qartë: për dashurinë e tij të parë. Në kapitullin me të njëjtin titull ai përshkruan një “vajzë me flokë të gjata, të shndritshme dhe ngjyrë gështenje, me sy të zinj” dhe “me buzë të kuqe si qershi”. Pamuk nuk e tregon emrin e vërtetë të vajzës, por vetëm shkruan se në persisht ai do të thotë “Trëndafil i zi”. Një ditë Orhani, duke rrahur gjoks me dijen e tij, e pyet vajzën se çfarë kuptimi kishte emri i saj. Ajo me vendosmëri i thotë se e dinte shumë mirë kuptimin e emrit, me të cilin e kishte pagëzuar e ëma, sepse kështu quhej “gjyshja e saj shqiptare”.
Është një dashuri në fillim sentimentale mes dy të rinjve, të cilët kohën e lirë shpesh e kalojnë në një atelie, ku Orhan Pamuk i ri bën përpjekjet e para për të pikturuar dhe jo rrallë vajza me origjinë shqiptare rri shtrirë në shtrat si modele për pikturë. – Kur dashuria mes Orhanit dhe “Trëndafilit të zi” bëhet intime, prindërit e vajzës ndikojnë që lidhja të marrë fund – ndër të tjera edhe për shkak se nuk u pëlqen ideja e djalit të ri që të merret me pikturë, një zanat që nuk ta siguron bukën e gojës në një shoqëri gjysmëfshatare. Takimet ndërpriten pasi prindërit e pasur shqiptarë e dërgojnë vajzën në një internat në Zvicër. “Një ditë m’u drejtua vëllai i madh dhe më i përzemërt i saj dhe më përcolli nga Zvicra një përshëndetje të përzemërt të motrës së tij dhe më dha një letër. U ula në një kafene, ndeza një cigare dhe fillova ta lexoja. Ajo shkruante se, në të vërtetë, i pëlqente në shkollën e re, por ndjente mall për mua dhe për Stambollin. I shkrova asaj pastaj nëntë letra, prej të cilave shtatë i futa në një zarf dhe pesë prej tyre ia dërgova. Kurrë nuk mora përgjigje”.

Sami Frashëri dhe sifilizi

Në një kapitull tjetër mbi shkrimtarin e madh francez Gustave Flaubert, Orhan Pamuk, shumë shkurt, e përmend edhe Sami Frashërin. – Në tetor të vitit 1850 Flaubert mbërrin në Stamboll i infektuar nga sifilizi si pasojë e vizitës në një shtëpi publike në Bejrut. (Në gjuhën popullore shqipe kjo sëmundje quhet “frëngjyzë”. Në Evropë sëmundja u shfaq si epidemi në vitin 1494 gjatë rrethimit të Napolit nga ana e trupave franceze të komanduara nga Karli VIII; supozohet se ai vdiq në moshën 28-vjeçare nga sifilizi cerebral. Për shkak të marrëdhënieve të ushtarëve francezë me 800 prostituta, sëmundja u përhap shpejt dhe u quajt “sëmundja franceze”).
Në një letër dërguar nga Stambolli Flaubert ka vetëm një siklet: penisin e tij të infektuar me sifiliz, “të kapluar me shtatë të thatë”. Ai supozon se është infektuar me një femër maronite në Bejrut, por nuk është plotësisht i sigurt. “A mos ishte ndoshta një zonjushë turke?”, pyet ai. Derisa lufton me sifilizin dhe nga kjo sëmundje i bien flokët saqë kur kthehet në Francë nuk e njeh as e ëma, Flaubert në Stamboll nuk durohet pa e vizituar një shtëpi publike. Shoqëruesi i tij e dërgon atë në një bordel femrash “të tmerrshme” dhe Flaubert vendosë të kthehet në vend, por ndërron mendjen kur kryezonja e bordelit i ofron atij vajzën e saj të moshës mes 16 dhe 17-vjeçare, e cila refuzon të shkojë në shtrat me Flaubertin e infektuar dhe kërkon prej tij që t’ia tregojë penisin. “Meqë ajo nuk duhej ta shihte varrën, unë u solla sikur ndjehesha i fyer dhe u largova”.
Pesëdhjetë vjet pas qëndrimit të Flaubertit në Stamboll, shkruan Pamuk, autori me prejardhje shqiptare Şemsettin Sami në fjalorin e tij të parë në gjuhën turke shkruante se sifilizi “kishte ardhur te ne prej Evropës”. Me emrin Şemsettin Sami në literaturën turke njihet Sami Frashëri. Pamuk është njëri ndër autorët e parë me nam turq, i cili hapur e thekson përkatësinë kombëtare të Sami Frashërit. Në shumë libra të historianëve turq, ndërkaq, kombësia e Frashërit heshtet.

Nuk ka komente: