e premte, 28 dhjetor 2007

Bollano, Skënderbeu quhej Jorgji


Aleksandra Bogdani
29-06-2007











Kryetari i Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano
TIRANË- Nëse historia e Shqipërisë do të rishkruhej me shkronja greke, Gjergjit do i thonim Jorgji, Gjonit- Jani e himarjotëve-himarjotis. E përsa kohë që për fqinjët tanë jugorë, ëndrra e Vorio-Epirit projektohet kaherë mbi Himarën, historia e kësaj toke shqipesh është shkruar bash në vitin 2006 prej shkronjash greke. Himarën turistike e gjen të prezantuar në internet në adresën ëëë.himara.eu. Po të mos ekzistonin hartat, një vizitor i huaj interneti do e kishte fort të vështirë të kuptonte se në cilin cep të botës bie Himara, bashkë me kalanë e saj 3500 vjeçare, Shpellën e Piratëve apo Kishën e Gjithëshenjtorëve. Askund nuk thuhet se pamjet e mrekullueshme që ofronky qytet buzë Jonit mund t'i prekësh në Shqipëri. Përkundrazi.. E njëjta "dorë" ka treguar kujdes për të vënë në dukje gjithçka fqinjët tanë grekë pretendojnë se i bën njësh me Himarën, për të shkruar një tjetër histori megalomane, këtë herë nën logon e një bashkie shqiptare.

***

Copyright-i i guidës turistike i takon një institucioni të shtetit shqiptar, bashkisë së Himarës. Për llogari të saj ka punuar njëfarë Jorjis Zahos, ndërsa për llogari të Bashkisë ka derdhur para sponsori "Anajenisi".Një "mirëseardhje" e kryebashkiakut Vasil Bollano, emri i të cilit duket krejt i ndryshëm prej banorëve të tjerë, vetëm pse nuk është shkruar Vasilis Bolanos, historia e Himarës dhe lista e hoteleve e banorëve që ofrojnë shtëpi për turistët janë informacionet kryesore që të ofron ky site. E ndërsa lexon se Chimera e lashtë shtrihej deri në lumin e Kallamasë në Greqi,gjen nja katër versione të Himarës, në shkronja greke. Në pak rreshta, përshkruhen shekuj të tërë histori, ku himarjotët, në këtë version të ngjarjeve bashkohen gjithnjë me grekët, në luftë kundër të tjerëve. Saracenë, hunë, sllavë, bullgarë, kryqtarë apo romakë kanë zbarkuar anijet e tyre të luftës mbi Himarë, për t'i lënë vend një tjetër lufte, qendresës së gjatë të vendasve ndaj turqve. Dhe ja ç'ofron historia e Bashkisë së Himarës për këtë periudhë të historisë. "Me 1403 mbreti i Napolit, Karli zbarkon në brigjet e Himarës dhe shtyn shqipfolësit në drejtim të veriut. Disa vite më vonë, himarjotët, të udhehequr nga Jorgji Stresi, mik personal i Jorgji Kastriotit, përpiqen të ndalojnë zaptimin e Epirit nga Otomanët. Mbas zaptimit të Krujës nga Turqit, e vetmja krahinë e lirë në gjithë Epirin mbetet Himara e vetëqeverisur nën mbrojtjen e Republikës Veneciane". E ndërsa në historinë e shkruar prej Bashkisë së Himarës, Gjergj Kastriotit i thonë Jorgji, djali i tij, Gjoni që udhëhoqi himarjotët drejt një tjetër fitoreje pavarësie më vitin 1481, nuk ka sesi mos të quhet Jani."Me ndihmën e mbretit të Napolit u liruan dhe të udhëhequr nga Jani Kastrioti fituan pavarësinë, duke u paguar turqvenjë taksë nënshtrimi",-shtohet më tej.

***

Historia e paskëtajme prezantohet e gjitha si luftë brenda llojit, ku shqiptarët e Himarës luftojnë shqiptarët e Ali Pashait e ku ushtria greke hyn në Shqipëri si çlirimtare dhe jo si pushtuese. "Pas turqve vijnë vitet e mbretërimit të Ali Pashait në Janinë. Janë vite të vështira. Ali Pashai përpiqet me të gjitha mënyrat të zaptojë Himarën. E rrethon dhe gjithmonë e shtrëngon këtë rethinë, zaptoi dhe shkatërroi fshatra të Himarës... Më 1821 shpërtheu kryengritja e madhe greke. Himariotët janë kudo në radhët e para të kësaj kryengritje... Më 5 nëntor 1912, majori himarjot, Spiro Spiromilos, në krye të të kretasve zbarkon në Himarë dhe e çliron atë.... Më 9 shkurt 1914, himarjotët kundërshtuan planet e Fuqive të Mëdha për t'i përfshirë brenda kufijve të shtetit shqiptar. Deri në vitin 1921, Himara gjendet në disa stade: autonome, me komand grek, e zaptuar nga italianët dhe përsëri autonome... Me 22 dhjetor 1940, ushtria greke hyn në Himarë dhe banorët e pritën me entusiazëm dhe në mënyrë festive". E si për t'i dhënë fund një historie që vazhdon e shkruhet sot e gjithë ditën në mendjet e fqinjëve tanë grekë, historiku në guidën e Bashkisë së Himarës përfundon me: "më 1945, himarjotët nuk pranuan të marrin pjesë në zgjedhjet për të ligjëruar regjimin e Enver Hoxhës. Ky regjim mbylli shkollat greke edhe shkollën e Akroqeravneve dhe u hoqi himarjotëve çdo të drejtë minoritare".

EMRAT

Himara, plot Bolanos, Goras e Tzuvelis

TIRANË-Ata janë himariotë, e ndoshta përshëndetjet mes vedi, janë mësuar t'i këmbejnë në greqisht. E megjithatë, nëse do t'u binte rasti t'i hidhnin një sy guidës turistike të Bashkisë së Himarës, nuk ka sesi të mos shkulen gazit.Nikos, Fotis, Aleksandros, Spiros, Mondis.... Bolanos, Goras, Neranxis, Tzuvelis... Pas gjithë emrave e mbiemrave të himarjotëve të sotëm rëndon nga një s, si për të treguar që në prezantimin e parë virtual se ata janë grekë. Nga kjo bashkësi e njehsuar prej s-ve në fund të emrave bëjnë përjashtim vetëm myslimanët e Borshit, që mesa duket, hartuesit e guidës turistike nuk ua kanë gjetur dot anën. Tajari i Borshit nuk do të tingëllonte asfare si emër grek, ndaj edhe është lënë bashkë me fqinjët e tij në "minoritet" brenda "minoritetit". I njëjti rregull gramatikor vlen edhe për fshatrat e Himarës. Të greqizuar në emra, Dhërmiu, Jala apo Palasi nuk tingëllojnë fort si fshatrat tona turistike, ku me zor presim të kalojmë verën.E kemi ditur që himarjotët e kalojnë pjesën më të madhe të vitit në Greqi, dimë edhe që më të moshuarit, ata që nuk ia kanë ngenë emigracionit, jetojnë mirë në tokën e tyre me pensionet greke. Por që fushata helene për uzurpimin "paqësor" të ëndrrës Vorio-Epir ka përfshirë gjithë çka gjendet në Himarë është një surprizë e re që na zbulohet në guidën e re turistike të Himarës.

Bollano: 85% e Himarës

ka gjuhë amtare greqishten

“Ju mirëpresim në Bashkinë e Himarës. Ju mirëpresim këtu, ku ngjyra jeshile e ullishteve të pafund bashkohet në harmoni të plotë me ngjyrën blu transparente të detit Jon dhe qiellin e kaltër. Këtu ku mikpritja dhe krenaria është e njohur për banorët vendas tre mijë vjet më parë, siç kanë shkruar shumë historianë të vjetër si Homeri, Plini, Straboni, Thuqidhidhi. Vendin që kanë vizituar shumë studiues të huaj nga kureshtja që u ka ngjallur si Bajroni, Liku, Celebi etj. Bashkia e Himarës ka 11.037 banorë, një popullsi kompakte ku mbi 85% e saj ka si gjuhë amtare greqishten”.


Gazeta Shekulli

Nuk ka komente: