e enjte, 2 gusht 2007

Oliver Shmit: Skenderbeu dhe rëndësia e infrastrukturës logjistike për të udhëhequr luftën

Shkenca është marrë deri më tash në mënyrë intensive me betejat e veçanta të Skënderbeut. Por studime moderne për historinë e luftës evropiane tregojnë se beteja gjendet në fund të një zinxhiri të gjatë procesesh, të cilët janë shumë më të rëndësishëm se konfrontimi ushtarak. Edhe prijësi më i shquar nuk e fiton betejën pa suitë, e cila nuk është e ushqyer, e pajisur dhe e paguar mirë. Dhe këto detyra ia dha vetes edhe Skënderbeu. Se si i kapërceu ai ato vështirësi, do të paraqitet në vijim mbi bazë materialesh kryesisht të reja arkivore nga Venediku, Dubrovniku dhe Milano.
Skënderbeu e filloi luftën si komandant i një lige fisnikësh. Por shpejt doli në shesh, se Arianitët, Muzakët dhe, pos të tjerash, Dukagjinasit nuk ishin gati t’i nënshtroheshin Skënderbeut. Nga kujtimet e Gjon Muzakës kuptohet mirë arsyeja: familjet e vjetra nuk i shikonin Kastriotët si të barasvlershëm dhe secili bënte një politikë të jashtme më vete. Për atë prezantohej Skënderbeu fillimisht si Balsha i ri: ai desh të përfitonte nga nami i princit të famshëm të Shqipërisë së Veriut, Balsha III, për t’u profiluar kundër familjeve të vjetra. Por prapë u bë shpejt e qartë se Skënderbeu nuk mund të mbështetej te fisnikëria shqiptare, përkundrazi Balshajt në Shqipërinë e Mesme ai i detyroi në ekzil; Muzakajt humbën pas betejës së Beratit më 1455 çdo rëndësi; Arianitët nuk mundën të mbanin zonën e tyre të eksponuar në jug; dhe Lekë Dukagjini u bë rival i rrezikshëm, i cili edhe në Itali gëzonte nam të madh.
Sikur Skënderbeu t'i besonte vetëm fisnikërisë, atëherë ai shumë shpejtë do t’u nënshtrohej osmanëve. Në burime, të kapshëm bëhen ata burra, të cilët zëvendësonin Skënderbeun jashtë Shqipërisë. Aty vërehen dy grupe. Së pari, duhen përmendur zëvendësit e Kishës katolike të Shqipërisë. Rëndësia e tyre nuk mund të mbivlerësohet aspak. Qysh mes viteve 1446 dhe 1450 ndërmerr abat Llazari legata të rëndësishme në Romë, Napoli dhe Burgund. Më l447 udhëton abat Pjetri, një i afërm i Skënderbeut, për në Napoli Ipeshkvi Andreas Summa nga Albanum është më 1448 në Dubrovruk, ipeshkvi Stefeni nga Kruja gjendet tre yjet më vonë në Napoli. Nuk duhen harruar rregullarët: domenikani Nicolaus Begruzzi ose një françeskan, i cili udhëtoi më 1466 për në Napoli. Së shpejti ngrihet abati nga Roteza, Georg Pellinus, si figurë e rëndësishme në diplomacinë e Skënderbeut; deri më 1463 udhëton ai pa mundim nëpër oborret italiane. Prej vitit 1460 e merr në dorë iniciativën figura më e rëndësishme e Kishes katolike e mesjetës së vonshme në Shqipëri, Pal Engjëlli, nga Qrivasto, argjipeshkëv i Durrësit. Ai nuk përcjell vetëm legata për në Napoli, Milano, Romë dhe Venedik; por ai është edhe një figurë e rëndësishme në parapërgatitjet e kryqëzatës së Pius II. Përkrenaren e famshme të Skënderbeut duhet ta ketë porositur ai përkrenarja është një kopje e përpiktë e përkrenares së Aleksandrit të Madh. Pal Engjëlli kishte marrë premtimin nga Papa Pitis II si kompensim për pjesëmarrjen e Skënderbeut në kryqëzatë, se do të kurorëzonte Skënderbeun. Arqipeshkvi i Durrësit desh ta prezantonte monarkun e ri në gjuhën politike të Evropës së Renesancës, dhe kjo gjuhë politike ishte e ndikuar krejtësisht prej Antikës. Kështu planifikonte Kisha katolike e Shqipërisë t’i prezantojë opinionit evropian Skënderbeun si Aleksandër të Madh, i cili do të dëbonte Osmanët nga Evropa. Pal Engjëlli udhëhiqte pra jo vetëm politikën e jashtme të Skënderbeut, por e bënte edhe Atteta Christ-in në traditën e kryqëzatave të mesjetës një princ renesance.
Pranë rolit të shkëlqyeshëm të klerikëve, duken laikët pak të zbehur. Por edhe ata kanë luajtur rol të rëndësishëm. Kështu p.sh. Ninac-i, udhëheqës i sekretarisë së Skënderbeut; Petrus Smachi, protonoter i Krujës;
Celnik Rajani; Francesco Maramonte, i cili zëvendësoi Skënderbeun më 1456 në Milano; Esopus Sgurus, legat në Napoli më 1453; kabrësi Martin Musachi, i cili udhëtoi prej në Napoli nëpër Romë deri në Burgund. Një rol kyç luan femilja Gazulli, përmes të cilit kalonin kontakte të rëndësishme të Skënderbeut për në Dubrovnik. Kalorësi Pal Gaznlli merrej me zhvendosje parash, ashtu dhe me legata për në Napoli, Romë dhe Burgund; astronomi i njohur Johannes Gazulli kujdesej për çështje financash dhe krijonte kontakte me Hungarinë; ai mundohej t'i sqarojë Republikës së Dubrovnikut më 1455, pse e zgjeroi Skënderbeu Kepin e Rodonit në kështjellë; ai administronte para të rëndësishme të kryqëzatave, të cilat Dubrovniku, duhej t'ia kalonte Skënderbeut; ai siguronte armë (1454) dhe një zift-punues për ndërtimin e një anijeje (1455). Familja Gazulli i siguronte pra Skënderbeut para dhe teknologji lufte.
Rrethit të ngushtë i takonte edhe familja patrice Gongola Gundulic nga Dubrovniku, veçanërisht Paul, Michael dhe Paladino de Gongola, të cilët merrnin përsipër legata për Skënderbeun, rekrutonin specialistë për konstruksion anijesh dhe kështjellash në Rodon dhe vepronin si të autorizuar të Skënderbeut në Dubrovnik. Gondolasit u shfaqën si prominentë, kur Skënderbeu vizitoi Dubrovnikun; dhe nuk do të habiste fakti, se ata kultivonin kontakte tregtare me Shqipërinë: 1464 blejnë Junius, Paladino dhe Paul de Gongola me shumën e madhe prej 1450 dukatesh drithë në zonën e sundimit të Skënderbeut. Kontakte të ngushta me Skënderbeun mbanin edhe familjet Bona dhe Poza/Pucic. Klerikët, shqiptarët në Dubrovnik dhe patricët dubrovnikas bënin pjesë në rrethin më të ngushtë të Skënderbeut; përkundër fisnikërisë shqiptare, lojaliteti i tyre për Skënderbeun ishte i qartë. Ishte ky rrjeti personel, kjo suitë, e cila në mënyrë jospektakulare, por shumë efektive dhe vendimtare u kujdes për logjistikën e luftërave së Skënderbeut. Afër suitës së tij të ngushtë Skënderbeu kultivonte kontakte të jashtme intensive dhe të hulumtuara mirë. Në një fazë të parë ai u përqendrua te fqinjët e tij joshqiptarë në Evropën Juglindore: me mbretin boshnjak, Duka Stefan Vukçiq në Hercegovinë, me Stefen Crnojeviq në Mal të Zi dhe për një farë kohe edhe me despotin serb George Brankoviq. Ëdhe më me rëndësi ishin kontaktet e tij në Hungari, me Johann Hunyadin, më vonë edhe me Mattias Corvinus.
Shumë herët vendosi Skënderbeu të ndërkombëtarizojë luftën kundër osmanëve, me anë të aleancave me fqinjët e tij ballkanas, por pastaj edhe me anë të lidhjeve të ngushta me shtetet italiane. Këto kontakte të jashtëm shërbenin parimisht për dy qëllime: sigurimi i parave dhe i teknologjisë luftarake. Këto të dyja mungonin në territorin e tij. Burim të ardhurash kryesore ai kishte eksportin e drithit dhe të drurit. Ky ndodhej kryesisht në duar të tregtarëve nga Dubrovniku, por edhe të venedikasve. Një burim tjetër të ardhurash ofronte dhënia me qira e doganave po ashtu të investuesve të huaj: këto qira garantonin të ardhura afatgjate.
Duke marrë parasysh jostabilitetin politik, investimi për tregtarët nuk ishte aspak i sigurt; por me sa duket fitimi ishte shumë premtues. Më 1464 gjendet madje edhe një tregtar nga Milano si qiraxhi dogane. Po ashtu Skënderbeu u garantonte investuesve një sigurim të lartë ligjor, këtë e dëshmojnë burimet e pabotuara nga Dubrovniku: kështu, më 1465, një tregtar nga Dubrovniku iu nënshtrua me dëshirën e vetë gjyqësorisë së Skënderbeut e jo asaj të qytetit të tij.
Tregtia kalonte zakonisht nëpër portin e vogël të Shufadës. Skënder-beu, në të vërtetë një bir malesh, kuptoi rëndësinë e detit sa vinte e më shumë: ai e zhvendosi pikëqëndrimin e pushtetit të tij në bregdet. Jo Kruja, por Rodoni ishte kështjella e tij kryesore; sepse prej këtu ai bënte kontakte në Itali, në bregdet ai merrte armë dhe para. Afër Rodonit luante edhe Lezha, me një rol të njëjtë kryesor; Lezha lidhte bregdetin me botën malore, Lezha ishte për dukagjinasit dhe për Skënderbeun portë e vërtet për në Itali. Qyteti administrohej prej Venedikut, por nuk mund dhe aq të kontrollohej, si Durrësi i shtrirë mu afër detit Qyteti mund, pra, të quhet si zonë kontakti mes botës së fisnikërisë shqiptare dhe Adriatikut. Skënderbeu këtë e mori parasysh, duke u munduar t’i largohej varësisë me Venedikun, nëpërmjet të komunikimit me Italinë; por për këtë atij i duheshin anije, ku punësoi mjeshtër ndërtimi anijesh nga Dubrovniku dhe luti edhe Venedikun, t'i verë anije në dispozicion dhe këtë edhe pse ai vetë, siç informon një burim venedikas, detin nuk e pëlqente. Mungesa e një flote luftarake, por edhe e anijeve tregtare u tregua për kohë të gjatë si mangësi Skënderbeu merrte anije me qira nga Dubrovniku, dhe për një kohë të caktuar vente edhe Venediku anije në dispozicion; por kjo qe një zgjidhje e përkohshme.
Për këtë ishin lidhjet e tij me Dubrovnikun edhe më të rëndësishme, i cili si shtet neutral ofronte përkrahje.
Është më lehtë të marrësh para, se sa t’i administrosh ato: këtu u tregua Skënderbeu si organizator i aftë, i cili përdorte metodat e atëhershme moderne të biznesit bankar. Dubrovniku ishte për këtë disk rrotullues vendimtar, sepse aty kishin filialet e tyre edhe banka nga Firence, kështu p.sh. (për shembull) godina e bankës Albizzi dhe Strozzi, zëvendësi i të cilëve, Berto Belfradelli, në Shqipëri blente dru dhe e eksportonte për në Apuli; një florencez tjetër, Frco Pauli de Beuzi bënte tregti me drithë shqiptar. Më 1458 gjejmë Celik Rajan-in në Dubrovik, i cili thyen një çek të bakës Pazzi Si princat e tjerë ballkanas, ashtu edhe Skënderbeu mbante një depozitim te banka e Republikës së Dubrovnikut; Pal Gazulli dhe Rajani i përmendur tërhiqnin prej aty para. Rëndësia e metodave financiare moderne nuk mund të çmohet kurrë sa duhet. Se cilën sasi kishin të ardhurat e Skënderbeut nga eksporti dhe qiratë doganore, as nuk mund të hamendësohet. E qartë është, se ajo nuk mjaftonte për financinin e luftës. Përkrahjet sidomos të shteteve italiane merrnin për këtë një rëndësi të madhe. Këtu u tregua shteti kishtar shumë herët si shtyllë e rëndësishme; Venediku premtoi para të rregullta vjetore, por të cilat për shkak të konflikteve mes guvernatorëve venedikas dhe Skënderbeut nuk u paguan rregullisht. Sidomos në fazën e fundit të jetës së tij Skënderbeu ishte urgjentisht i varur prej pagave ndihmëse nga Italia. Një pyetje tjetër janë ndihmat në formë furnizimi me drithë. Menjëherë pas filimit të kryengritjes mundohej Skënderbeu të kontrollojë burimet bujqësore të Shqipërisë së Veriut. Kjo ishte arsyeja për luftën e tij kundër Venedikut. Jo vetëm Venediku, por edhe Dukagjinasit e bllokonin ekspansionin e Skënderbeut për në veri. Puna ishte te drithi, te kripa dhe te vërrini për bagëtinë, burim i rëndësishëm ekzistencial Por edhe dalja në det te Lezha dhe kontrolli mbi rrugët tregtare për në Prizxen ishin të rëndësishme: Skënderbeu e humbi këtë konflikt Baza e tij ekonomike mbeti e kufizuar me Shqipërinë e Mesme. Në vite të qeta ai mundi prej këtu të eksportonte drithë. Por gjatë sulmeve osmane, veçanërisht në vitet 1446 dhe 1467, korrjet u dëmtuan. Sidomos kah fundi i jetës së tij, Skënderbeu ishte i varur nga importi i drithit nga Apulia: më 1466 ai luti Papën urgjentisht të mos dërgojë trupa, sepse Shqipëria e grabitur prej osmanëve nuk mund t’i ushqente as banorët e saj: strategjia e tokës së djegur e Mehmetit II kishte qenë pra e suksesshme.
I qartë është fakti se Shqipëria e Mesme për kohë të gjatë kishte bazë shumë të dobët demografike dhe ekonomike për luftën kundër osman-ëve.
Skënderbeu mundi t’u bënte rezistencë një çerekshekull osmanëve, sepse ai ishte një prijës ushtrie i talentuar, por më së shumti, sepse ai e kuptoi rëndësinë e infrastrukturës logjistike për udhëheqje të luftës. Për të minimizuar ndikimin e fisnikërisë shqiptare, ai mbështetej mbi një suitë jofisnike, por lojale, e cila, pos të tjerash, përbëhej prej klerikëve të Kishës katolike dhe një grupi të vogël laikësh në nethin e sekretarisë së tij. Këta burra krijuan kontakte të rëndësishme për të mbijetuar me fqinjët e krishterë në Evropën Juglindore dhe Perëndimore. Së dyti, Skënderbeu përdorte teknikat financiare bashkëkohore për të financuar blerjen e armëve dhe teknologjinë e luftës.
Vendi financiar - Dubrovniku - luante aty një rol vendimtar. Struktura fleksibile e pushtetit të tij, mobiliteti i suitës drejtpeshoi superioritetin sasior të osmanëve për shumë vite. Nuk ishin betejat spektakulare, por organizimi i strukturave sunduese, të cilat na japin sqarime thelbësore për mbijetesën e Skënderbeut.
-----------------------------
Kumtesë e lexuar në simpoziumin “Gjergj Kastrioti Skenderbeu dhe epoka e tij”, mbajtur në Prishtinë më 21 nëntor 2005.
( Ky material është marrë nga QIK-u)

Nuk ka komente: